Si e shohin të rinjtë turizmin në Shqipëri?

Një reflektim nga përvoja ime si menaxhere hoteli

Anxhela Bregu | Hotelier

P

Punoj prej pesë vitesh si menaxhere hoteli dhe çdo sezon më sjell një përzierje emocionesh: kënaqësi, sfida, por mbi të gjitha krenari. Zgjodha këtë profesion sepse e dua vendin tim, dua të qëndroj këtu dhe të kontribuoj në promovimin e turizmit shqiptar. Është një punë që e bëj me dëshirë, me pasion, dhe që më mëson diçka të re çdo ditë.

Kur punon në hoteleri, një nga gjërat më të bukura është kontakti me të rinjtë që vijnë të punojnë çdo verë. Ata janë energjia që gjallëron çdo strukturë mikpritjeje. Shumica janë të edukuar, flasin mirë anglisht, dinë të buzëqeshin dhe të komunikojnë me klientët në mënyrë profesionale. Janë bashkëkohorë, të lidhur me botën, dhe sjellin ide të reja për përmirësim të shërbimit. Këto janë cilësi që më japin shumë shpresë për të ardhmen e turizmit në Shqipëri.

Megjithatë, realiteti nuk është gjithmonë i lehtë. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të balancojnë punën me shkollën. Mungesa e trajnimeve të strukturuara është një tjetër sfidë. Ne në hotel përpiqemi t’i trajnojmë vetë, por gjatë sezonit, me fluksin e madh të punës, nuk është gjithmonë e mundur të krijosh një trajnim të thelluar sipas standardeve që kërkojmë. Kjo tregon se sa e nevojshme është të kemi një sistem më të qëndrueshëm trajnimi gjatë gjithë vitit.

Sa i përket mënyrës se si e shohin turizmin, kam vënë re një dallim të qartë. Ata që e duan vërtet këtë fushë që ndihen mirë duke shërbyer, duke komunikuar me njerëz nga kultura të ndryshme e shohin si karrierë afatgjatë. Por ka edhe të rinj që e konsiderojnë si një mënyrë për të fituar “lekë të shpejtë” gjatë verës, pa e parë potencialin e madh që ofron kjo industri.

Besoj fort se mungesa e stabilitetit dhe e trajnimeve profesionale ndikon drejtpërdrejt në motivimin e tyre. Prandaj, shkollat profesionale dhe universitetet kanë një rol thelbësor ato duhet të krijojnë ura bashkëpunimi me bizneset, që studentët të përfshihen në praktikë reale dhe të kuptojnë si funksionon një hotel apo një restorant. Shqipëria po zhvillohet me ritme të shpejta dhe turizmi është një nga motorët kryesorë të këtij zhvillimi. Duhet ta mbështesim këtë energji të re që po rritet.

Nëse do t’u jepja një këshillë të rinjve që duan të punojnë në turizëm, do t’u thoja: duajeni punën që bëni. Vetëm kështu do të jetoni jetën që doni. Mos reshtni së mësuari, trajnohuni, kërkoni të rriteni profesionalisht, sepse çdo ditë në turizëm është një mundësi e re për të mësuar diçka mbi njerëzit dhe mbi veten.Do doja të shihja më shumë staf të trajnuar, profesionistë që e shohin këtë punë si një rrugë zhvillimi, jo si një detyrim sezonal. Më shumë bashkëpunim mes institucioneve dhe bizneseve, kushte më të mira për punonjësit, dhe mbi të gjitha një kulturë mikpritjeje që buron nga dashuria për vendin.

Turizmi shqiptar ka një të ardhme të ndritur. Dhe nëse të rinjtë do të besojnë në të, duke u ndjerë pjesë e tij, atëherë edhe Shqipëria do të bëhet një destinacion që jo vetëm vizitohet, por edhe dashurohet.