Nga rrënjët shqiptare drejt një ëndrre ndërkombëtare.
Flugena Fusha – Hotelier
Shqipëria ka qenë gjithmonë vendi im i zemrës. Jo vetëm sepse aty kam kaluar vitet më të bukura të jetës, por sepse ajo përfaqëson diçka të veçantë: natyrë të paprekur, histori të pasura dhe një kulturë mikpritjeje që nuk e gjen askund tjetër. Gjithmonë kam ndjerë se Shqipëria më formoi dhe më mësoi shumë për jetën, për punën dhe për njerëzimin.
Megjithatë, pas shumë vitesh pune në hoteleri, ndjeva se diçka mungonte. Nuk ishte vetëm lodhja fizike, por edhe ajo shpirtërore. Puna e përditshme, ritmi i vështirë, mungesa e vlerësimit dhe hipokrizia e përditshme filluan të më rëndojnë. Hoteleria ka qenë gjithmonë pasioni im, një profesion që nuk të mërzit kurrë, sepse çdo ditë sjell sfida të reja dhe mundësi për të mësuar. Edhe pse gjatë shkollimit u përpoqa t’i shmangesha, gjithmonë kthehesha tek ajo.
Pas një sezoni të gjatë dhe të vështirë në jug të vendit, u ula dhe reflektova mbi të ardhmen time. Në një periudhë kur ndihesha e konsoliduar profesionalisht, mora vendimin për të hapur një kapitull të ri. Ishte një vendim i vështirë, por i qartë: duhej të nisja nga e para dhe të sfidoja veten në një vend tjetër. Zgjodha Amerikën, jo vetëm për mundësitë e saj, por edhe për t’u përballur me një eksperiencë të re që do të më zhvillonte profesionalisht dhe personalisht.
Hapi i parë ishte aplikimi për studime. Nuk doja të isha thjesht një vizitore, por të kisha një bazë solide që do më ndihmonte të integrohesha dhe të krijoja mundësi konkrete për të ardhmen. Dita kur zbrita në Amerikë më ka mbetur e paharruar: sapo dola nga aeroporti, kraharori më dukej i rëndë, ajri i huaj më dukej i ngarkuar, dhe ndjeva sa larg isha nga gjithçka që njihja.
Tre muajt e parë ishin të vështirë dhe emocionalisht sfidues. Vetmia dhe mungesa e komunitetit shqiptar më bënë të ndjehesha e zhgënjyer ndonjëherë, por vendosmëria ime nuk u thye. Kjo më shtyu të transferoja studimet në një shtet ku komuniteti shqiptar ishte më i madh. Vetëm fakti që dëgjoja shqip çdo ditë më jepte forcë dhe ngrohtësi, dhe ndjenja e përkatësisë më ndihmonte të vazhdoja rrugën time.
Këtë vit, për herë të parë pas shumë sezonesh, nuk punova në hoteleri gjatë verës. Ishte ndjesi e pazakontë të mos isha e përfshirë çdo ditë në ritmin e shpejtë të industrisë. Nuk ka pasur ditë që të mos i mendoja kolegët dhe stafin, lodhjen e tyre, pritjen e padurueshme për fundin e gushtit dhe për pushimin e merituar. Por, nga ana tjetër, përjetova për herë të parë qetësi mendore, fizike dhe shpirtërore. Shijova verën pa stres, pa presionin e zakonshëm dhe me ritëm të rregullt, duke kuptuar për herë të parë vlerën e ekuilibrit midis punës dhe jetës personale.
Më vjen shumë keq që shumë të rinj shqiptarë nuk janë vlerësuar, dhe nuk vlerësohen ende, duke zgjedhur më mirë të largohen sesa të luftojnë me “mullinjtë e erës”. Është një fatkeqësi e madhe të shohësh se si Shqipëria zëvendësohet gjithnjë e më shumë me punëtorë të huaj, të paguar me shifra qesharake, të cilët nuk mund t’i përcjellin turistëve asgjë nga shpirti dhe kultura jonë. Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për “makineri pune”, ajo ka nevojë për shpirt shqiptari, për energji dhe mikpritje të vërtetë, që të lë gjurmë tek çdo vizitor. Ky është thesari ynë më i madh, dhe humbja e tij është rreziku më i madh.
Ashtu si shumë shqiptarë, e mbaj gjithmonë në mend idenë e kthimit. Një ditë dua të kthehem në vendin tim me një plan dhe vizion të qartë për të investuar dhe për të kontribuar. Por për momentin, jam e fokusuar në studimet e mia në Hospitality Management dhe në ndërtimin e një karriere të qëndrueshme në trajnimet dhe zhvillimin profesional. Dua të përthith çdo sekret dhe çdo praktikë që Amerika ofron në mikpritje, që një ditë të kontribuoj në vëndin tim me eksperiencën dhe njohuritë e mia.
Fillimisht mendoja se Amerika nuk kishte një traditë të fortë mikpritjeje krahasuar me disa vende elitare europiane, por dita-ditës suprizohem për mirë. Po shoh praktika dhe shembuj frymëzues, që më japin ide dhe udhërrëfyes për të ardhmen. Çdo përvojë e re, çdo sfidë dhe çdo fitore e vogël më afron më shumë tek vizioni im: të jem një urë mes mikpritjes shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.
Rruga ime është ende në ndërtim e sipër. Largimi nga Shqipëria nuk ishte humbje, por transformim. Çdo hap, çdo vendim i guximshëm dhe çdo sfidë më kanë formuar dhe më kanë mësuar se suksesin nuk e përcakton vetëm vendi ku ndodhesh, por pasioni, përkushtimi dhe dëshira për të mësuar. Sot ndihem e fortë, e vendosur dhe krenare për rrënjët e mia, dhe e gatshme të ndërtoj diçka të re, duke mbajtur gjithmonë Shqipërinë në zemër. Me shpresen qe një ditë do të kthehem, do të jem më e përgatitur, më e ditur dhe më e aftë për të kontribuar me vizion dhe përkushtim.

