Nga mbijetesa në pasion: Rrugëtimi im në kuzhinë

INESA ÇIBUKU
EXECUTIVE CHEF

U

Unë jam Inesa. Dhe sot, me plot bindje, mund të them se jam shefe kuzhine. Por ky nuk ka qenë asnjëherë një rrugëtim i lehtë, as një ëndërr e qëllimshme. Ka qenë një udhëtim i egër, plotë sfida, net pa gjumë dhe shumë pikëpyetje.

Kur isha 20 vjeçe, u gjenda mes një kuzhine kaotike, ku për të mbijetuar duhej të ecje më shpejt se ora, sidomos gjatë orarit të fluksit. Aty kuptova që nëse do të vazhdoja, nuk duhej të dorëzohesha, por të mësoja të mbijetoj. Dhe kjo nuk ishte një zgjedhje. Kur je emigrant, shpesh nuk ke luksin të zgjedhësh. Thjesht duhet të bësh diçka dhe ta bësh aq mirë, sa të bëhesh e domosdoshme. Ëndrra ime e parë ishte psikologjia, punët sociale, të ndihmoja njerëzit. Por ja që ndonjëherë, jeta të merr për dore dhe të çon aty ku nuk e kishe menduar dhe në mënyrë të çuditshme, gjithçka merr kuptim. Nuk e di si ndodhi, por ëndrra dhe domosdoshmëria u takuan diku rrugës… dhe realiteti u bë edhe më i bukur.

Sepse kuzhina nuk ndryshon njerëzit, thjesht ua heq nevojën për t’u shtirur. Të drejtët mbrojnë, ambiciozët abuzojnë, të pasigurtët bëhen tiranë. Nuk është pushteti që korrupton… por është fytyra e vërtetë e njeriut që shfaqet kur ai nuk ka më frikë nga pasojat. Çdo vit sfidoja veten për t’u rritur profesionalisht. Ndiqja shembujt më të mirë të kulinarisë, studioja teknikat e tyre, praktikoja, eksperimentoja, por kuptova diçka thelbësore: asgjë nuk mjafton kurrë. Zhvillimi është i vazhdueshëm. Nga koha kur mbanim fletore me receta të shënuara me dorë e përshkrime qesharake, tek sot, kur teknologjia na mundëson të mësojmë, të krijojmë, të ndajmë.

Dashuria për ushqimin u thellua kur kuptova që nuk është perfeksioni që ka rëndësi në një pjatë, por shija, kujdesi dhe sinqeriteti që ajo përcjell. Klienti nuk kërkon thjesht një vepër arti në pjatë, ai kërkon të ndiejë që dikush është kujdesur për të, që ai ushqim është gatuar me shpirt.

Në vitin 2021 mora pjesë në Panairin e Slow Food në Puglia, në Torre Guaceto. Aty ndodhi diçka që më ndryshoi thellësisht: ishte hera e parë që ndihesha pjesë e një lëvizjeje që fliste gjuhën time të brendshme. Vlera, tradita, autoktonia, kujtesa. Ishte një darkë, por për mua ishte si një zgjim. Kuptova që vizioni im kishte nevojë për rrënjë. Nga ajo ditë, kuzhina për mua nuk ishte më vetëm vend pune, por një mision për të ruajtur dhe nderuar gatimet tradicionale shqiptare.

Entuziazmi që ndjeva nga vlerësimi i kuzhinës shqiptare më zgjoi. Lodhja, netët pa gjumë, orët pafund në këmbë… gjithçka mori kuptim. Ushqimi është i thjeshtë, nëse e gatuan me dashuri dhe përkushtim. Ai që do ta hajë, do të ndjejë kujdesin tënd dhe do të buzëqeshë. Dhe kjo mjafton.

Nga viti 2011 e deri më sot, kam kuptuar një të vërtetë të rëndësishme: emigrantët nuk sjellin me vete vetëm historitë e tyre, por edhe një pasuri kulture dhe respekti për punën, të fituar jashtë vendit. Dhe kur këto përvoja kthehen në Shqipëri, ato mund të bëjnë diferencën. Urime të gjithëve që kanë zgjedhur të rikthejnë dijen dhe përvojën në vendin tonë. Nëse çdo shqiptar profesionist jashtë vendit do të kthehej për të ndarë atë çfarë ka mësuar, Shqipëria do të ishte një Zvicër e vogël dhe jo vetëm nga peizazhi, por edhe nga vlera njerëzore.