Përtej buzëqeshjes, sfidat e padukshme në Hospitality!

ESMERALDA ZENELI
RESTAURANT MANAGER

U

Unë jam Esmeralda Zeneli, 22 vjeçe nga Tirana. Kam nisur të punoj që në moshën 18-vjeçare, menjëherë pas gjimnazit. E rritur me idenë që duhet të jem e zonja e vetes, e nisa rrugën time si një shitëse në banak. Isha shumë e lumtur dhe shumë krenare për veten që po punoja dhe me në fund u bëra sadopak e pavarur. Sot, pas shumë orësh pune, përpjekjesh, gabimesh e mësimesh, mbaj një rol që dikur e ëndërroja: menaxhere ne fushën e shërbimit.

Jam një vajze që ecën çdo ditë në një vijë të hollë mes përgjegjësive të një menaxhere dhe ambicieve personale. Nuk është gjithmonë e lehtë – dita nis herët dhe mbaron vonë, por çdo hap më çon më pranë një versioni më të mirë të vetes.

Besoj thellësisht se suksesi nuk vjen vetëm nga talenti, por nga këmbëngulja, kurajoja për të mos u dorëzuar dhe guximi për të ëndërruar më shumë, edhe kur duket sikur koha nuk mjafton. Kam mësuar ta menaxhoj jo vetëm një biznes, por edhe emocionet, stresin dhe pritshmëritë e të tjerëve dhe të miat.

Të jesh menaxhere nuk do të thotë vetëm të drejtosh apo të japësh udhëzime. Do të thotë të balancosh personalitete të ndryshme, të kuptosh stresin e stafit, të ruash autoritetin pa humbur humanitetin, dhe mbi të gjitha, të mbash një energji pozitive edhe kur gjithçka duket se po të rrëzohet mbi supe.

Menaxhimi i stafit është një nga sfidat më delikate. Njerëzit nuk janë makina ata kanë ditë të mira dhe të këqija, kanë pritshmëri, kanë pasiguri, lodhen, zhgënjehen. Dhe ti, si drejtues, duhet të dish kur të jesh e ashpër dhe kur të jesh e butë. Kur të japësh hapësirë dhe kur të vësh kufij. Asnjë manual nuk të mëson këtë. E mëson duke gabuar, duke reflektuar dhe duke u përmirësuar çdo ditë.

Ka pasur ditë kur kam ndier se nuk po bëja gjë mirë që nuk po arrija të motivoja ekipin, që komunikimi po thyhej. Por në vend që të dorëzohesha, zgjodha të dëgjoj më shumë, të kuptoj më thellë dhe të rritem si lidere, jo vetëm si shefe. Është e rëndësishme që stafi të dëgjohet e të kuptohet edhe për problematikën më të vogël sepse një staf i lodhur e i mërzitur reflekton drejtëpërdrejt tek klienti. Me pak fjalë stafi është pasqyrë energjie për biznesin.

Nuk është e lehtë të jesh një vajzë e re në një pozicion drejtues, sidomos kur ke nisur nga “poshtë”, kur disa të shohin ende si ajo bankieria që s’ka përvojë. Por unë besoj se përvoja nuk matet vetëm me vite por me përkushtim, ndershmëri dhe vullnet për të mësuar. Gjithsesi nuk do ishte e thjeshtë për një femër në menaxhim, pasi këtu ku jemi rritur mendohet se punët e vështira janë për burra, por ne gratë ja kemi dal më së miri, dhe mendoj se menaxhimi është nga ato fusha se kërkon një person që e kupton ekipin jo vetëm në rrafshin profesional por edhe ate emocional.